Strukturat e Policisë së Shtetit, përmes 228 aktiviteteve të realizuara në çdo qark të vendit, me rastin e festës së ndërrimit të viteve, kanë mirëpritur në ambientet e drejtorive vendore të Policisë, familjarë të Dëshmorëve të Policisë, të rënë në krye dhe gjatë detyrës.
Në një atmosferë të ngrohtë dhe festive, punonjësit e Policisë kanë shkëmbyer urime me familjarët e ish-kolegëve të tyre, kanë shprehur mirënjohjen dhe kujtimin e paharrueshëm ndaj veprës së Dëshmorëve të Policisë, si dhe kanë shpërndarë dhurata për të pranishmit.
Duke demonstruar se Policia e Shtetit është një familje e madhe, si dhe derë gjithmonë e hapur, për familjarët e Dëshmorëve, efektivët e Policisë së Shtetit kanë krijuar me iniciativën e tyre, një fond, me qëllim dhurimin e një shume simbolike parash, për secilën familje të Dëshmorëve të Policisë, të rënë në krye dhe gjatë detyrës. Kësaj iniciative solidare i janë bashkuar edhe një sërë biznesesh, të cilat kanë përgatitur pako me produkte festive, për t’ua dhuruar familjarëve të Dëshmorëve.
Së bashku në ditët e festave, për familjarët e atyre që dhanë jetën për misionin e Policisë së Shtetit.




