Policia e Shtetit, plan masash për garantimin e rendit në kuadër të ndeshjes Shqipëri-Itali
Strukturat e Policisë së Shtetit në të gjithë qarqet kanë hartuar një plan të detajuar masash për garantimin e rendit e sigurisë dhe mbarëvajtjen e trafikut rrugor para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit Shqipëri-Itali, e vlefshme për Kampionatin Europian “Euro 2024”.
Në këtë kuadër, shërbimet e policisë do të përqendrohen në sheshet qendrore të qyteteve dhe në zonat e grumbullimit të tifozëve (Fan Zone), të ngritura nga bashkitë.
Gjithashtu strukturat e Policisë Rrugore kanë planifikuar shërbime të përforcuara në të gjithë akset rrugore kombëtare, rrugët urbane dhe bulevardet e qyteteve.
Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve të respektojnë ligjin gjatë grumbullimeve për ndeshjen Shqipëri-Itali dhe të bashkëpunojnë me shërbimet e policisë për parandalimin e incidenteve.