Policia e Shtetit organizon takimin mes Agjencive Ligjzbatuese dhe Ekipeve të Reagimit të Emergjencave Kompjuterike në kuadër të ndihmës së EUROPOL-it

Policia e Shtetit organizon takimin mes Agjencive Ligjzbatuese dhe Ekipeve të Reagimit të Emergjencave Kompjuterike në kuadër të ndihmës së EUROPOL-it

Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik në Departamentin e Policisë Kriminale, në cilësinë e liderit të Planit Operacional “O.A.8.2”, organizoi në Tiranë gjatë javës së shkuar, seminarin me temë “Forcimi i bashkëpunimit dhe shkëmbimi i informacionit në kohë reale ndërmjet Agjencive të Zbatimit të Ligjit dhe Ekipeve të Reagimit të Emergjencave Kompjuterike”.

Seminari u organizua me mbështetjen financiare të projektit CyberSEE dhe në të morën pjesë drejtues të projektit, përfaqësues të EUROPOL-it dhe policive të vendeve të ndryshme, si dhe Ekipet e Reagimit të Emergjencave Kompjuterike nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnja e Hercegovina, Hungaria dhe Ukraina.

Në këtë aktivitet nga përfaqësuesi i Europol-it, u prezantua bashkëpunimi me agjencitë e tjera, në lidhje me luftën kundër krimeve kibernetike.

Të pranishmit prezantuan situatën aktuale të vendeve të tyre në lidhje me marrëveshjet dhe bashkëpunimin ndërmjet agjencive të ndryshme dhe atyre të zbatimit të ligjit, në fushën e krimeve kibernetike, si dhe bashkëpunimin ndërmjet Agjencive të zbatimit të ligjit dhe Ekipeve të Reagimit të Emergjencave Kompjuterike.

Gjithashtu, nga ana e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, u ndanë me të pranishmit edhe disa eksperienca të suksesshme të bashkëpunimeve ndërkombëtare në luftën kundër krimeve kibernetike, ku u vu theksi në vështirësitë dhe sfidat që paraqesin këto krime, si dhe në rëndësinë e këtyre bashkëpunimeve për t’i luftuar ato.

Në këtë seminar, përveç shkëmbimit të përvojave mes pjesëmarrësve, u ngritën ura bashkëpunimi mes kolegëve të Policive dhe Ekipeve të Reagimit të Emergjencave Kompjuterike të vendeve pjesëmarrëse, përmes shkëmbimit të pikave të kontaktit.