Policia e Shtetit
Finalizohet një tjetër fazë e operacionit të koduar “Fast”, nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me DVP Tiranë.
Akuzohet në Itali, për krime kundër personit, kundërshtim të punonjësve të Policisë dhe shkatërrim prone, kapet në Ndroq, 33-vjeçari.
Në vijim të koordinimit informativ dhe operacional, nëpërmjet Interpol Tiranës, me homologët në Itali, me objektiv lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, specialistët e Sektorit për Kërkimin (FAST Albania) në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Tiranë, finalizuan një tjetër fazë të operacionit të koduar “Fast”, si rezultat i të cilit u lokalizua në Ndroq dhe u arrestua provizorisht shtetasi D. H., 33 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, Itali, pasi autoritetet gjyqësore italiane, më datë 31.07.2026, i kanë caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja”, mbetur në tentativë, “Plagosja”, “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtimi i arrestimit” dhe “Kundërshtimi i punonjësit te policisë gjatë ushtrimit të detyrës”.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurën për ekstradimin e 33-vjeçarit, në Itali.
