Në zbatim të urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit “Për shpalljen e thirrjes për konkurrim për pozicionin ‘Drejtor Departamenti’ në Policinë e Shtetit”, hapet thirrja për aplikime për konkurrim për pozicionin “Drejtor Departamenti”, në Departamentin e Policisë Kriminale, Departamentin për Kufirin dhe Migracionin dhe Departamentin për Marrëdhëniet Ndërkombëtare.
Ky proces zhvillohet me qëllim garantimin e një vlerësimi objektiv, transparent dhe gjithëpërfshirës, nxitjen e konkurrencës profesionale dhe drejtuese, si dhe përzgjedhjen e kandidatëve që shfaqin aftësi drejtuese, rezultate të larta në punë dhe integritet moral e profesional.
Faza e aplikimeve është e hapur deri më 17.07.2026, ora 14:00.
Të drejtë aplikimi për pozicionin “Drejtor Departamenti”, në Departamentin e Policisë Kriminale, Departamentin për Kufirin dhe Migracionin dhe Departamentin për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, kanë punonjësit e Policisë së Shtetit që plotësojnë kriteret e përcaktuara në pikën 4 të nenit 60 të ligjit nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, si më poshtë:
– Të mbajnë njërën nga gradat e rolit të mesëm drejtues;
– Të kenë shtetësi shqiptare;
– Të mos kenë masa për shkelje të rënda disiplinore në Policinë e Shtetit gjatë 3 (tre) viteve të fundit;
– Të jenë në gjendje shëndetësore që u lejon ushtrimin e detyrës përkatëse;
– Të mos kenë konflikt interesi në ushtrimin e detyrës, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Policia e Shtetit garanton zhvillimin e një procesi të rregullt, transparent dhe të bazuar në aftësi, meritokraci dhe integritet profesional, duke u ofruar mundësi të barabarta të gjithë kandidatëve që plotësojnë kriteret ligjore.
