Policia e Shtetit, gjatë 24 orëve të fundit

Policia e Shtetit

Reagim profesional dhe në kohë reale, hetime të thelluara, bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe aksione policore në terren, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve, si dhe për zbardhjen e atyre të ndodhura më parë.

Gjatë këtyre 24 orëve, u zhvilluan operacione policore me impakt të rëndësishëm për qytetarët.

✅Si rezultat i hetimeve profesionale, të kryera në kohë rekord, nga ekspertë të DPPSH-së dhe të Policisë së Vlorës, u bë e mundur zbardhja e plotë e shpërthimit dhe shkatërrimit me tritol të një hoteli, në Sarandë. Gjithashtu, u identifikua dhe u vu në pranga autori, njëkohësisht djali i njërit prej bashkëpronarëve, të cilët ishin në proces gjyqësor, për pronësinë e këtij objekti.

✅Megaoperacioni “Fijet” finalizoi fazën e dymbëdhjetë në qarqet Shkodër, Korçë dhe Fier, me sekuestrimin e 20 kamerave të tjera dhe vënien në hetim të 8 shtetasve, për cenim të privatësisë dhe shkelje të ligjeve të vendit. Në rang kombëtar, shkon 528 numri i kamerave të çmontuara dhe 109 numri i shtetasve të vënë në hetim, në kuadër të këtij megaoperacioni.

✅Operacioni ndërkombëtar “Provinca”, i zhvilluar nga Fast Albania, Fast Belgjika, Interpol Tirana dhe Interpol Brukseli, u finalizua me lokalizimin dhe prangosjen e shtetasit të shumëkërkuar ndërkombëtarisht L. D., i cili dyshohet se është njëri nga autorët e një vrasjeje me armë zjarri, të kryer në Tiranë, në vitin 2019.

Puna policore në terren, me qëllim garantimin e jetës, pronës dhe të drejtave e lirive të qytetarëve, vijon 24/7.