Policia e Shtetit
Shërbimet e Policisë, 24 orë në shërbim, për të parandaluar ngjarjet kriminale dhe për të çuar përpara përgjegjësisë ligjore autorët e veprimtarive kriminale në fusha të ndryshme.
Një ngjarje e rëndë kriminale u parandalua nga Policia e Vlorës, në kuadër të operacionit policor të koduar “Aleksandria”. U vu në pranga 28-vjeçari që mbante armë zjarri kallashnikov në automjet ndërkohë që qarkullonte në qytetin e Vlorës. Për 2 pasagjerët në automjet nisi hetimi, për moskallëzim krimi.
Ndërhyrja në kohë e Policisë parandaloi përshkallëzimin e një konflikti për motive pronësie, në Dibër. Në pranga 49-vjeçari që kanosi me armë zjarri kallashnikov, bashkëfshatarin e tij.
Operacioni policor i koduar “Katrori” çoi në pranga një 37-vjeçar që shpërndante heroinë dhe kanabis, në doza, në qytetin e Gjirokastrës. U sekuestruan doza heroine dhe kanabisi, si dhe një shumë parash.
Policia e Dibrës vuri në pranga një shtetas që qarkullonte me lëndë narkotike në automjet, i cili në tentativë për të shmangur kapjen nga Policia, aksidentoi një automjet të parkuar. U sekuestruan një sasi kanabisi, një grirëse metalike dhe automjeti me të cilin qarkullonte ky shtetas.
Në Devoll u godit një rast i kontrabandës së mallrave. U vu në pranga 36-vjeçari që transportonte steka me cigare të kontrabanduara, me qëllim për t’i shitur.
Policia e Fierit vuri në pranga një 47-vjeçar, pasi kundërshtoi me dhunë, punonjësit e Policisë, gjatë përmbushjes së një procedure standarde pune.
Në Mallakastër, Policia vuri në pranga një 39-vjeçar, pasi është konstatuar nga shërbimet e Policisë, në një lokal, ndërkohë që ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.
Policia Rrugore e Tiranës ndëshkoi me masë administrative 30 000 lekë dhe me pezullim të lejes së drejtimit për 12 muaj, një drejtues automjeti, pasi kishte ndjekur ambulancën që ishte në shërbim emergjence, për të shmangur trafikun.
Ndërkohë, vijojnë kontrollet në të gjithë vendin.