Policia e Shtetit
3 armë zjarri, municion luftarak dhe 53 000 euro, u sekuestruan si rezultat i punës së Policisë, 24 orët e fundit.
Ndërhyrja në kohë e shërbimeve të Policisë, parandaloi 2 ngjarje kriminale në familje, në Tiranë.
Operacioni i koduar “Afternoon” çoi në pranga një 41-vjeçar që kanosi me armë zjarri familjarët e tij, ndërsa operacioni i koduar “Safe” çoi në pranga një 31-vjeçar që ushtroi dhunë fizike dhe kanosi me armë zjarri vëllanë e tij dhe dajën e tyre.
34 000 euro të dyshuara të përfituara nga veprimtaritë kriminale, u sekuestruan gjatë operacionit policor të koduar “Pjesëtimi”, në port Durrës. 38-vjeçari që tentoi t’i fuste në Shqipëri, duke ua shpërndarë pasagjerëve në furgonin që drejtonte, u vu në pranga.
19 000 euro u sekuestruan nga Policia e Elbasanit, pasi dyshohet se janë futur në vendin tonë, në kundërshtim me ligjin. Poseduesi i tyre u vu në hetim.
Policia Rrugore e Vlorës arrestoi një 46-vjeçar, pasi ditën e djeshme, duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur, goditi një këmbësore dhe më pas një automjet.
Policia Rrugore e Tiranës arrestoi në flagrancë një 57-vjeçar, pasi u kap duke drejtuar në gjendje të dehur, autobusin e linjës së Laprakës.




