Policia e Shtetit, 24 orë intensive në terren
24 shtetas të vënë në pranga;
1 kallashnikov, 2 armë gjahu, municion, 3 mjete prerëse (thika) dhe sasi kanabisi, të sekuestruara;
ngjarje kriminale të parandaluara, të tjera të zbardhura
Si rezultat i operacionit “Ndërhyrja”, të zhvilluar në Vorë, u parandalua një ngjarje kriminale dhe u vu në pranga një 48-vjeçar që hyri me forcë, në ambientet e një lokali, për të vrarë me armë gjahu, një shtetas.
Në kuadër të operacionit “Hidden gun”, në Korçë u vu në pranga një 22-vjeçar pasi iu gjetën sasi kanabis, 1 armë zjarri dhe mjete prerëse.
Operacioni “Vetëgjyqësia” në Elbasan, arrestoi 3 shtetas dhe shpalli në kërkim 2 të tjerë. 2 nga këta shtetas u arrestuan pasi dogjën qëllimisht një automjet, ndërsa 3 shtetasit e tjerë ndiqen penalisht, pasi me vetëgjyqësi, i hoqën lirinë dhe goditën njërin nga autorët e dyshuar të djegies.
Policia e Fierit vuri në pranga një 36-vjeçar, pasi shantazhoi një shtetase, për t’i dhënë para, që të mos i publikonte foto dhe video me përmbajtje personale.
Në Durrës u zbardhën 5 vjedhje të baterive të automjeteve të shtetasve të ndryshëm dhe u vu në pranga autori i dyshuar i tyre.
Në të gjithë vendin, 4 shtetas të shpallur në kërkim, u kapën dhe u vunë në pranga:
-Krujë/Në kuadër të operacionit “Rakordimi”, u ndalua një 49-vjeçar, pasi në vitin 2022, qëlloi me armë zjarri, në drejtim të një banese në Shkodër, për shkak të një konflikti për motive pronësie;
-Skrapar/U ndalua një 28-vjeçar i kërkuar në kuadër të operacionit “Gurazez”, pasi në janar të këtij viti, iu gjetën në banesë drogë, armë gjahu dhe municion;
-Durrës/U ndalua një 23-vjeçar i dënuar me mbi 2 vjet burgim për marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur, dhe një 30-vjeçar, pasi vodhi para në kompaninë ku punonte.
Puna operacionale vijon në çdo qark, me qëllim parandalimin dhe goditjen e fenomeneve kriminale në cilëndo formë të shfaqjes së tyre.