Policia e Shtetit, gjatë 24 orëve të fundit

Policia e Shtetit/24 orë intensive, në luftë frontale ndaj fenomeneve kriminale dhe në mbrojtje të sigurisë publike.

-Janë finalizuar 9 operacione policore;

-janë vënë në pranga 31 autorë të dyshuar të krimeve të ndryshme, si dhe

-janë sekuestruar 8 armë zjarri, rreth 62.5 kg kanabis dhe 150 000 euro pasuri me burim krimin.

✅Brenda 12 orësh, Policia e Tiranës finalizoi operacionet “SHTËPIA JESHILE” dhe “TRINOMI”. Operacioni i parë bllokoi një vilë ku kultivohej kanabis me anë të llambave, ndërsa operacioni i dytë zbardhi 24 vjedhje të ndodhura në Kavajë. Disa nga 6 shtetasit e arrestuar nga këto operacione, mbanin 3 armë zjarri.

✅Policia e Fierit ndaloi 2 shtetas të shpallur në kërkim, i pari në kuadër të operacionit “Member”, pasi ishte pjesëtar i një organizate që merrej me drogë dhe armë në Spanjë, ndërsa i dyti në kuadër të operacionit “Imponimi”, pasi organizoi një rast shfrytëzimi për prostitucion.

✅Në Mat u parandalua në kohë, përshkallëzimi i një konflikti midis 5 adoleshentëve dhe njërit prej tyre iu gjetën 2 kallashnikovë dhe 800 fishekë që dyshohet se mund të përdoreshin në këtë konflikt.

✅Në Velipojë, operacioni “Baks” vuri në pranga një 19-vjeçar që qarkullonte me 1 pistoletë dhe 1 kallashnikov, në automjet.

✅3 pasuri me vlerë rreth 150 000 euro u sekuestruan në Elbasan, pasuri këto në pronësi të një shtetasi të dënuar në Turqi për trafik droge.

✅Në Durrës, në kuadër të operacionit “Embargo” u vu në pranga kapiteni i anijes që transportonte 22 500 tonë naftë të kontrabanduar, tashmë të sekuestruar nga Policia.

✅Në Kukës dhe në Gjirokastër u vunë në pranga 2 autorët e dyshuar të transportimit të 5 emigrantëve, për kalim ilegal të kufirit.

✅Në Elbasan u reagua menjëherë ndaj një rasti kanosjeje, gjatë të cilit një shtetas tashmë i arrestuar, kanosi në rrugë, për motive të dobëta, me një armë artizanale të modifikuar si armë zjarri, një 24-vjeçar.

✅Operacioni “Parts” në Himarë, vuri në pranga një 49-vjeçar që shpërndante doza kanabisi në lokalet e natës të këtij qyteti.

Operacionet me fokus goditjen e fenomeneve kriminale dhe për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, vijojnë.