Informacionet e siguruara përmes inteligjencës policore i shërbyen Policisë së Shtetit, për të goditur veprimtari të ndryshme kriminale, në kuadër të disa operacioneve që u finalizuan gjatë 24 orëve të fundit.
Në vijim të operacionit policor të koduar “Inteligjenca”, Policia e Elbasanit vuri në pranga 2 shtetas që dyshohet se kishin planifikuar një ngjarje të rëndë kriminale. Një ditë më parë, Policia gjeti dhe sekuestroi 4 armë zjarri, 2 bidona me lëndë djegëse dhe 1 automjet, që do përdoreshin për kryerjen e krimit. Vijojnë hetimet për këtë rast.
Operacioni policor i koduar “Embargo”, i bazuar në inteligjencën policore, goditi tentativën për të kontrabanduar në Shqipëri, naftë që vjen nga Rusia. U bllokua anija që transportonte 22 500 tonë naftë, me dokumentacion të falsifikuar.
Për ekuipazhin e anijes (22 shtetas) vijojnë veprimet procedurale.
Drogë dhe armë u sekuestruan në Shkodër. 4 shtetas që shpërndanin doza kanabisi, në qytetin e Shkodrës, u vunë në pranga në kuadër të operacionit policor të koduar “Porosia e fundit”. Në banesën e njërit prej tyre u gjetën fara kanabisi, 2 armë zjarri dhe municion luftarak.
Operacioni policor i koduar “Cactus”, në Tiranë, zbardhi 8 raste të vjedhjeve në subjekte të ndryshme. Policia vuri në pranga 2 autorët e dyshuar dhe sekuestroi automjetin dhe veshjet që dyshohet se ata kanë përdorur gjatë kryerjes së vjedhjeve.
Në Kuçovë, në kuadër të operacionit “Lojtari”, u vu në pranga një shtetas që kishte përshtatur lokalin e tij, për organizimin e lojërave të fatit. Sende të ndryshme që përdoreshin për lojërat e fatit, u sekuestruan nga Policia.
Një 44-vjeçar që tentoi të vriste me send të fortë, një shtetas, pas një konflikti për motive të dobëta, u kap dhe u vu në pranga falë reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë së Durrësit.
1 shtetas që kishte fshehur kanabis në automjetin që drejtonte, u kap në flagrancë nga Policia e Durrësit dhe u vu në pranga. Pasagjeri i automjetit u procedua penalisht.
Policia e Vlorës vuri në pranga 3 shtetas, pasi u kapën në flagrancë duke kryer punime pa leje në një objekt në të cilin ishin pezulluar punimet. Pronari i firmës që po kryente punimet në këtë objekt, u shpall në kërkim.
Policia e Korçës vuri në pranga një shtetas, pasi gjatë kontrollit në automjet, iu gjetën doza kanabisi, peshore elektronike dhe grirëse me mbetje narkotike.
Policia vijon kontrollet, në të gjithë territorin.