Operacioni, nga Drejtoria Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e SPAK.
Vihen në pranga 2 shtetas, si dhe shpallen në kërkim 2 doganierë të portit të Vlorës.
Drejtoria Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, në kuadër të procedimit penal të nisur nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, finalizoi operacionin policor të koduar “Porti”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
A. K., 59 vjeç dhe S. K., 32 vjeç, banues në Vlorë, për të cilët dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nëpërmjet rryshfetit ndaj punonjësve të Drejtorisë Doganore Vlorë, fusnin, në territorin e Republikës së Shqipërisë, produkte kontrabandë.
Gjithashtu, si rezultat i këtij operacioni u bë shpallja në kërkim e shtetasve:
A. N., 46 vjeç dhe M. M., 62 vjeç banues në Vlorë, me detyrë punonjës pranë Drejtorisë Doganore Vlorë, për të cilët dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në këmbim të rryshfetit, lejonin kalimin e produkteve kontrabandë.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për kryerjen e veprimeve të mëtejshme, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.