Policia e Shtetit, angazhim për ruajtjen e qetësisë publike dhe ndëshkimin e rasteve të ndotjes akustike dhe zhurmave mbi kufirin e lejuar.
Policia e Shtetit, në zbatim të akteve ligjore dhe nënligjore që mbrojnë mjedisin e shëndetin e personit nga ndotjet akustike dhe zhurmat e shkaktuara mbi nivelet kufi të lejuara, ka marrë detyrimet përkatëse dhe po ndjek me plane konkrete ruajtjen e qetësisë publike, veçanërisht në zonat bregdetare.
Policia e Shtetit është përgjegjëse për marrjen e masave për ruajtjen e qetësisë publike nga veprimtaritë që lëshojnë zhurmë nga muzika mbi nivelet e lejuara kufi nëpërmjet:
– Kontrollit me pajisje të certifikuara për matjen e niveleve të zhurmës të personave fizikë e juridikë, të cilët ushtrojnë veprimtari që lëshojnë zhurmë nga muzika;
– Kontrollit, matjes, pezullimit apo mbylljes së veprimtarive, që nuk respektojnë ligjin.
Për mjediset e hapura në zona apo qendra të banuara dhe në zona turistike, muzika lejohet nga ora 11:00 deri në orën 24:00, ndërsa në zbatim të ligjit, personat fizikë dhe juridikë, që zotërojnë e përdorin burimet e zhurmës, duhet të plotësojnë kushtet teknike, që garantojnë respektimin e niveleve të zhurmës. Vetëmonitorimi i zhurmës në mjedis kryhet nga personat fizikë e juridikë, të pajisur me leje mjedisi, të cilëve u përkasin veprimtaritë, instalimet dhe burimet e zhurmës që monitorohen.
Në procedurën standarde janë parashikuar përgjegjësitë e Policisë së Shtetit për ruajtjen e qetësisë publike nga zhurmat që shkaktohen në mjedis (qendra të banuara si ato urbane dhe rurale) nga veprimtaritë e ndryshme dhe në veçanti ato që shkaktohen nga prodhimi i muzikës në lokale, bare, diskoteka, klube nate, restorante, mjete transporti, mbi nivelet kufi të lejuara dhe të përcaktuara në Udhëzimin e Përbashkët, datë 15.11.2023, të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministrisë së Brendshme.
Strukturat e rendit publik dhe ato të policimit në komunitet do të mbajnë e përdorin pajisjen për matjen e nivelit të zhurmës/muzikës. Në rast se punonjësi i strukturës përgjegjëse të Policisë së Shtetit nuk ushtron kontroll për ruajtjen e qetësisë publike apo nuk merr masë administrative sipas parashikimeve të ligjit, ndaj tij merret masë sipas legjislacionit në fuqi për Policinë e Shtetit.
Rastet e matjes të nivelit të zhurmës të shkaktuar nga muzika janë:
a. Për monitorim dhe mbajtje në kontroll të situatës së rendit dhe qetësisë publike lidhur me ndotjet akustike të shkaktuara nga zhurmat/muzika – duke iniciuar dhe kryer kontrolle e sondazhe për matjen e nivelit të zhurmave në territor.
b. Në rastet kur vetë shërbimet e policisë gjatë kontrollit të territorit (në sektor/zonë policore) konstatojnë gjenerim të zhurmave të shkaktuara nga muzika, që mund të jenë mbi nivelet kufi të lejuara.
c. Në rastet e telefonatave, kërkesave dhe ankesave të bëra nga publiku, institucione të ndryshme shtetërore, persona fizik dhe juridik, etj. për gjenerim zhurme nga muzika tej normave të lejuara.
Vendet ku kryhen matjet e nivelit të zhurmës nga muzika janë:
a. Matja e nivelit të gjenerimit të zhurmës nga muzika me pajisjen e certifikuar për këtë qëllim kryhet në çdo ambient apo vend publik/mjedise urbane të qyteteve dhe fshatrave.
b. Matja e nivelit të gjenerimit të zhurmës nga muzika me pajisjen e certifikuar për këtë qëllim brenda ambienteve private mund të bëhet vetëm në rastet kur ka një pëlqim nga individi/pronari (ankuesi/kërkuesi) për t’u kryer matja.
Në zbatim të ligjit “Për vlerësimin dhe administrimin e zhurmës në mjedis” është përcaktuar masa e dënimit/gjobës nga 200 mijë – 400 mijë lekë. Ligji parashikon aplikimin e masave plotësuese në varësi të dëmit të shkaktuar nga gjenerimi i zhurmës/muzikës, si mbyllje e përkohshme e subjektit, derisa të merren masa për eliminimin e zhurmës të shkaktuar nga muzika dhe mbyllja e përhershme e burimit të zhurmës.
Policia e Shtetit u bën thirrje personave fizikë dhe juridikë, që zotërojnë e përdorin burimet e zhurmës, të plotësojnë kushtet teknike, që garantojnë respektimin e niveleve të zhurmës dhe të monitorojnë zhurmën për të evituar shkeljen e ligjit dhe shqetësimin e qytetarëve.