Policia e Shtetit, angazhim maksimal për mbarëvajtjen e sezonit turistik

Shqipëria, perla e Ballkanit, me dyer të hapura në çdo stinë, gjatë 2 muajve të këtij sezoni turistik u shndërrua në vendin e preferuar të vizitorëve, eksploruesve dhe turistëve nga mbarë bota.
Policia e Shtetit u angazhua maksimalisht gjatë këtyre muajve, për të garantuar një sezon turistik veror sa më të sigurtë dhe vijon angazhimin 24/7, nga veriu në jug, deri në mbyllje të sezonit, për të rritur parametrat e sigurisë në plazhe dhe në zonat turistike.
Punonjësit e Policisë ishin dhe do të jenë pranë jush në çdo port, aeroport, në çdo pikë kalimi kufitar, për t’ju shtrirë me besim, etikë dhe profesionalizëm, dorën e mikpritjes dhe për t’ju ofruar një shërbim cilësor;
në çdo lartësi mali dhe thellësi deti, me bazën logjistike bashkëkohore, për t’ju ardhur në ndihmë në rast nevoje;
në të gjitha rrugët e vendit, me makinat inteligjente, radarët automatikë dhe dronët edukues, për t’ju rikujtuar se asnjë destinacion nuk vlen më shumë se jeta.
Në këtë rrugëtim kishit dhe do të keni gjithmonë bashkudhëtarin, udhërrëfyesin dhe simbolin e sigurisë, punonjësin e Policisë së Shtetit, që ju pret sapo hyni në tokën shqiptare dhe ju përcjell derisa të largoheni me mbresa të paharruara nga ky vend i vogël por me vlera të mëdha.
Pushime të mbara!