Policia e Shkodrës, kontrolle për nivelin e zhurmave dhe zbatimin e orarit të aktiviteteve me muzikë

Krahas kontrolleve dhe verifikimeve, janë organizuar takime me pronarë/ administratorë subjektesh, aktivitetet e të cilave gjenerojnë zhurmë nga muzika.

Gjithashtu, vijon intensivisht zbatimi i detyrave të parashikuara në planin e masave për garantimin e sigurisë publike gjatë sezonit turistik veror.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër dhe të Stacionit të Policisë Velipojë, gjatë këtyre ditëve, sipas hartëzimit të zonave me risk për ndotje akustike, kanë organizuar grupe kontrolli në terren, gjatë të cilave, në bazë të ligjit nr. 9774, datë 12.07.2007, “Për administrimin e zhurmës në mjedis”, i ndryshuar, kanë testuar me matës të zhurmës, disa ambiente dhe subjekte, të hapura dhe të mbyllura, në Shkodër dhe në Velipojë.

Matjet e realizuara, sipas kushteve të përcaktuara në procedurën standarde për këtë qëllim, kanë rezultuar brenda kufijve të lejuar.

Krahas matjes së nivelit të zhurmës, strukturat përgjegjëse kanë kryer kontrolle dhe për respektimin e orarit të lejuar për aktivitetet me muzikë, në ambiente të hapura dhe në qendra të banuara, i cili është nga ora 11:00 deri në orën 24:00.

Policia e Shkodrës mbetet e angazhuar dhe e vendosur për të garantuar një mjedis të qetë dhe të sigurt për qytetarët, vizitorët dhe pushuesit.

Ftojmë qytetarët të denoncojnë çdo shkelje dhe çdo paligjshmëri që hasin, duke iu garantuar anonimat dhe ndërhyrje të menjëhershme konform ligjit.

#PoliciaeShkodrës #SezoniTuristik2026☀️ #QetësiDheSiguri #RespektoLigjin #NëShërbimTëQytetarëve