Vijojnë kontrollet në subjekte të ndryshme, përgjatë gjithë vijës bregdetare të qarkut Durrës, me qëllim monitorimin e respektimit të aktit normativ që ndalon muzikën në mjediset e hapura, tej orarit të përcaktuar.
Gjatë mbrëmjes së djeshme, shërbimet e Policisë kanë vijuar kontrollet në lokalet në vijën bregdetare në Durrës, Plazh dhe në zonën e quajtur “Shkëmbi i Kavajës”.
Kontrollet do të vijojnë pandërprerë, për të garantuar respektimin e orarit të përcaktuar ligjërisht, për vendosjen e muzikës, në subjektet përgjatë vijës bregdetare të qarkut Durrës.
Policia e Durrësit iu bën thirrje subjekteve që zhvillojnë aktivitete me muzikë, në ambiente të hapura, të respektojnë oraret e përcaktuara në aktin normativ në fuqi, që të mos përballen me penalitete. Gjithashtu fton të gjithë qytetarët që të telefonojnë në numrin pa pagesë 112 📲, si dhe të denoncojnë në Komisariatin Dixhital, për çdo problematikë që mund të hasin, duke iu siguruar shërbimin e Policisë, në kohë të shpejtë dhe me profesionalizëm.