Poliçan
Goditën me sende të forta, një shtetas dhe nuk iu bindën urdhrit të punonjësve të Policisë që mbërritën në vendngjarje, për kryerjen e veprimeve procedurale, vihet në pranga një shtetas dhe procedohet penalisht një tjetër.
Këta 2 shtetas tentuan të largoheshin me një automjet që drejtohej në gjendje të dehur nga i arrestuari, por ndërhyrja në kohë e Policisë, bëri të mundur ndalimin.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit se në fshatin Pronovik, Poliçan, për motive të dobëta, 2 shtetas kishin goditur me sende të forta, shtetasin E. L., si dhe i kishin dëmtuar atij, automjetin, shërbimet e Stacionit të Policisë Poliçan janë nisur drejt vendngjarjes, me qëllim kapjen e autorëve të këtij rasti.
Sapo kanë konstatuar mbërritjen e shërbimeve të Policisë, këta 2 shtetas kanë tentuar të largohen me automjet, duke mos iu bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, për të ndaluar. Ndërhyrja e shpejtë dhe profesionale e shërbimeve, bëri të mundur arrestimin e shtetasit V. K., 36 vjeç, banues në Tiranë, si dhe këto shërbime iniciuan procedimin në gjendje të lirë për shtetasin M. S., 20 vjeç, banues në Poliçan.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, ndaj 36-vjeçarit (drejtuesi i automjetit) u krye testi i alkoolit, nga i cili rezultoi se ky shtetas e drejtonte automjetin, në gjendje të dehur.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.