Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme në kuadër të operacionit policor të koduar “Perimetri 181”.
Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve, kundrejt shpërblimit.
Vihet në pranga 1 shtetas që transportonte emigrantë të paligjshëm, procedohet në gjendje të lirë bashkëshortja e tij.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore, në vijim të operacionit të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit. Si rezultat u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit S. D., 48 vjeç dhe u referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasen E. Ll., 39 vjeçe, banues në Elbasan.
Shërbimet e Policisë Rrugore, në aksin rrugor Pogradec-Prrenjas, i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit tip “Nissan”, me drejtues shtetasin S. D. dhe pasagjere bashkëshorten e tij, shtetasen E. Ll.
Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë automjet u gjetën 6 emigrantë të paligjshëm, të cilëve shtetasi S. D., u kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt shpërblimit.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.