Pogradec/Goditen 2 raste të tjera të prerjes së kundërligjshme të pyjeve.
Procedohen penalisht 3 shtetas, të cilët u kapën me sasi dru zjarri të prerë në mënyrë të paligjshme.
Procedohet gjithashtu edhe 1 inspektor pyjesh, pasi dyshohet se shpërdoroi detyrën duke mos e raportuar paligjshmërinë e konstatuar.
Sekuestrohen 120 m3 lëndë drusore, 38 trupa të llojit ah, pa dokumentacionin përkatës dhe 1 kamionçinë që shërbente për transport.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec, gjatë kontrolleve të intensifikuara me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, kanë konstatuar dhe kanë goditur 2 raste të tjera të prerjes së kundërligjshme të pyjeve, raste për të cilat janë referuar materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-D. H., 37 vjeç dhe D. M., 37 vjeç, banues në fshatin Dardhas, Pogradec, pasi në fshatin Stropckë, Pogradec, u kapën me automjetin kamionçinë tip “Benz”, me drejtues shtetasin D. H., duke transportuar 10 m3 dru zjarri, pa dokumentacionin përkatës;
-A. Ç., 35 vjeç, banues në fshatin Stropkë dhe Xh. A., 61 vjeç, banues në Pogradec, pasi gjatë kontrollit të ushtruar tek rezervuari në fshatin Stropckë, Pogradec, 35-vjeçarit iu gjetën 110 m3 dru zjarri dhe 38 trupa të llojit ah pa dokumentacionin përkatës, të cilat u bllokuan në cilësinë e provës materiale. Nga hetimet e kryera rezulton se shtetasi Xh. A., me detyrë inspektor pyjesh në këtë zonë, nuk ka konstatuar dhe informuar strukturat përkatëse, për lëndën drusore të gjetur që dyshohet të jetë prerë në mënyrë të paligjshme.
Sasitë e druve dhe një automjet, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.