Pogradec/Finalizohet operacioni policor i koduar “Agimi”.
Zbardhen dhe dokumentohen 3 vjedhje të ndodhura në biznese, në qytetin e Pogradecit.
Vihet në pranga një 21-vjeçar, autori i dyshuar.
Sekuestrohen një shumë lekësh dhe një levë hekuri të cilën 21-vjeçari e ka përdorur për të kryer vjedhjet.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, mbrëmjen e djeshme, menjëherë pas njoftimit se në lagjet nr. 1 dhe 3, Pogradec, ishin kryer vjedhje në dy biznese, organizuan punën për identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e autorit. Falë veprimeve të shpejta hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec finalizuan operacionin policor të koduar “Agimi” . Si rezultat i këtij operacioni u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi:
-E. S., 21 vjeç, banues në Pogradec.
Nga hetimet e kryera rezultoi se ky shtetas, në lagjen nr. 1, kishte vjedhur një shumë lekësh në një lokal, ndërsa në lagjen nr. 2, ka tentuar të vjedhë në një dyqan ushqimor. Gjithashtu, nga veprimet e mëtejshme hetimore u dokumentua se 21-vjeçari është autori i dyshuar edhe i vjedhjes së ndodhur më datë 10.08.2023, në një lokal në Pogradec, ku është vjedhur një çantë me shuma parash të valutave të ndryshme.
Në cilësinë e provës materiale u gjetën dhe sekuestruan një shumë lekësh dhe një levë hekuri të cilën shtetasi E. S. e ka përdorur për të kryer vjedhjet.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.