Pogradec – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Përsëritësi”

Operacioni i zhvilluar pas një hetimi disamujor, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

Arrestohen në flagrancë 2 shtetas me precedent të mëparshëm penal, pasi u kapën duke transportuar shtetas të huaj.

Specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në DVP Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Forcave Lëvizëse Operacionale, Komisariatin e Policisë Pogradec dhe Stacionin e Policisë Kufitare Pogradec, pas një hetimi disamujor, finalizuan me sukses operacionin e koduar “Përsëritësi”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

E. T., 42 vjeç, banues në Tiranë (i dënuar më parë për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”).

F. L., 41 vjeç, banues në Linzë, Tiranë, (i dënuar më parë për veprat penale “Vrasja me dashje, e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”).

Shtetasit e mësipërm janë kapur nga shërbimet e Policisë, në rrugën nacionale Pogradec-Qafë Thanë, duke transportuar me mjetet tip “Benz” dhe “Peugeot” 4 shtetas të huaj, të cilëve iu kishin premtuar kalimin dhe transportimin e tyre drejt vendeve të BE-së, kundrejt fitimit prej 150 eurosh për secilin.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim”.