Përkujtohet Dëshmori i Policisë Saimir Hoxha, i cili humbi jetën 5 vjet më parë, në krye të detyrës në Lezhë.
Në ceremoninë e organizuar në Tiranë, me rastin e 5-vjetorit të rënies në krye të detyrës, të ish-punonjësit të Policisë së Shtetit, Saimir Hoxha, morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Punëve të Brendshme, drejtues të Policisë së Shtetit, drejtues dhe punonjës të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, familjarë dhe të afërm të Dëshmorit.
Gjatë ceremonisë u prezantua libri me titull “Biri i Lavdisë”, që i është kushtuar jetës, veprës dhe sakrificës së Dëshmorit të Policisë Saimir Hoxha.
Në kuadër të ceremonisë, Zëvendësdrejtori për Sigurinë Publike në DVP Lezhë, Drejtues Arben Nasufi, mbajti një fjalim në nderim të Dëshmorit të Policisë Saimir Hoxha, duke vlerësuar sakrificën e tij në krye të detyrës.
Në vijim të ceremonisë, pjesëmarrësit zhvilluan homazhe dhe vendosën kurora me lule pranë varrit të tij, në Varrezat e Dëshmorëve.
Në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje për veprën dhe sakrificën e Dëshmorit të Atdheut, Saimir Hoxha, Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë i ka propozuar bashkisë Lezhë, që emri i tij t’i vendoset një rruge në qytetin e Lezhës.
Sakrifica e Dëshmorit të Atdheut, Saimir Hoxha, si dhe e të gjithë Dëshmorëve të Policisë së Shtetit të rënë në krye të detyrës ndër vite, mbetet frymëzim dhe motivim për çdo punonjës të Policisë së Shtetit, për të ushtruar detyrën me përkushtim, integritet dhe profesionalizëm, në shërbim të qytetarëve.
I përjetshëm kujtimi i Dëshmorëve të Policisë së Shtetit!








