Orikum, Vlorë – Ndezi zjarr me qëllim hapjen e kullotave, vihet në pranga 57-vjeçari

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Orikum, në vijim të punës për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit:

– L. H., 57 vjeç, banues në Orikum, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Ky shtetas ka ndezur zjarr në vendin e quajtur “Ish-grumbullimi”, në Orikum, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe toke me shkurre dhe bimë të egra.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë apelon për të gjithë qytetarët, që në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do të përballen me ligjin, dhe i fton ata që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, për çdo rast të zjarrvënies ose çdo rast paligjshmërie, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.