Në zbatim të masave kufizuese të shpallura nga qeveria shqiptare, për vënien në kontroll të pasojave që sjellin përhapjen e COVID-19, shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet në të gjithë territorin.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë evidentuar 75 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020 ”Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19″.
Në Tiranë është arrestuar në flagrancë shtetasi Sh. Q., banues në Tiranë, pasi nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë për të bërë testin e alkoolit.
Është arrestuar në flagrancë shtetasi I. L., banues në Tiranë, pasi u konstatua duke drejtuar automjetin pa lejen përkatëse.
Po në Tiranë janë proceduar penalisht R. T. dhe A. T., banues në Krujë, pasi duke qarkulluar me një mjet, nuk i janë bindur urdhrit të punonjësve të Policisë dhe i kanë fyer e kanosur ata.
Në Durrës është proceduar në gjendje të lirë shtetasi Xh. P., pasi është konstatuar duke drejtuar motorin në gjendje të dehur, në masën 0.73 mg/litër.
Në Berat është proceduar në gjendje të lirë shtetasi A. M., pasi është konstatuar duke drejtuar motorin pa targa dhe pa leje drejtimi.
Në të gjithë vendin, gjatë 24 orëve të fundit, si rezultat i kontrolleve të ushtruara nga strukturat e Policisë dhe denoncimeve të ardhura nga qytetarët në adresat zyrtare të Policisë së Shtetit, në 112/129 dhe Komisariatin Dixhital, janë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 615 shtetas, të cilët u konstatuan nga shërbimet e Policisë duke lëvizur me këmbë apo me biçikleta, pa ndonjë arsye apo emergjencë.
Në Kukës është ndëshkuar me masë administrative 700.000 lekë, shtetasi F. H., banues në Kukës, pasi ka shkelur rregullat e vetëkarantinimit të detyrueshëm, duke dalë jashtë ambienteve të banesës.
Në Tiranë është arrestuar në flagrancë shtetasi E. S., banues në Tiranë, pasi është konstatuar duke lëvizur jashtë fashës orare dhe ka kundërshtuar dhe goditur me grusht punonjësit e Policisë në detyrë.
Në Korçë janë proceduar penalisht J. K. dhe A. K., pasi nuk i janë bindur urdhrit të punonjësit të Policisë, për shkak të detyrës, si edhe kanë prishur qetësinë publike.
Në Durrës është proceduar penalisht shtetasi A. M., banues në Durrës, pasi u kap nga shërbimet e Policisë me një dokument të Ujësjellës Kanalizime Durrës me qëllim lëvizjen e lirë, por nga verifikimet e bëra nuk rezulton të jetë punonjës i kësaj ndërmarrjeje.
Gjithashtu, janë ndëshkuar me masë administrative 20.000 lekë dhe bllokim mjeti për 3 muaj, 2 shtetas, pasi nuk kanë zbatuar urdhrin për kufizimin e lëvizjeve në parqe dhe zona të gjelbra të hapura, në zonat urbane apo mjedise të tjera publike të hapura.
Në të gjithë vendin janë konstatuar 8 lokale të hapura dhe ndaj administratorëve është marrë masa administrative, në bazë të nenit 3, pika 7 e Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020.
Në Kukës është proceduar penalisht për fshehje të ardhurash shtetasi N. C., banues në Kukës, pasi ushtronte aktivitetin në bar restorantin e tij, pa u regjistruar në organin përkatës.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të respektojnë masat kufizuese, për të bërë të mundur parandalimin e përhapjes së COVID-19.