Njoftim për media/Apel: Mos vendosni të dhënat tuaja bankare në faqe të dyshimta!

Njoftim për media
Vijojnë fushatat e mashtrimit përmes mesazheve SMS. Policia e Shtetit apelon: Mos vendosni të dhënat tuaja bankare në faqe të dyshimta!
Drejtoria për Hetimin e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit ka evidentuar fushata të reja mashtrimi përmes mesazheve SMS (smishing), të cilat po u dërgohen qytetarëve duke përdorur në mënyrë të rreme emërtimet e institucioneve dhe shërbimeve publike shqiptare.
Këto fushata vijnë në vijim të rasteve të evidentuara më parë, ku autorët, duke u prezantuar në mënyrë të rreme si institucione bankare, kanë tentuar të mashtrojnë qytetarët përmes faqeve të falsifikuara të internetit, me qëllim përvetësimin e të dhënave të tyre personale dhe bankare.
Nga monitorimi i fundit janë evidentuar mesazhe që paraqiten në emër të:
* Bashkisë Tiranë / Shërbimit të Parkimit, duke pretenduar ekzistencën e tarifave të papaguara të parkimit;
* DPSHTRR-së, duke njoftuar për shkelje të qarkullimit rrugor dhe gjoba të papaguara;
* Postës Shqiptare, duke pretenduar se qytetarët duhet të përditësojnë adresën për të mundësuar dorëzimin e pakove postare.
Në këto raste, mesazhet përmbajnë lidhje elektronike (linke), të cilat i orientojnë qytetarët drejt faqeve të falsifikuara të internetit, që imitojnë faqet zyrtare të institucioneve përkatëse.
Qëllimi i këtyre fushatave është mashtrimi i qytetarëve për të siguruar të dhënat e tyre personale dhe bankare, përfshirë numrin e kartës bankare, datën e skadencës, kodin e sigurisë (CVV/CVC) dhe kodet e verifikimit, të cilat mund të përdoren për kryerjen e transaksioneve të paautorizuara dhe përvetësimin e parave nga llogaritë bankare.
Autorët përdorin njoftime për detyrime të papaguara, afate të shkurtra kohore apo probleme me dërgesat postare, duke krijuar ndjesinë e urgjencës për t’i nxitur qytetarët të veprojnë pa verifikuar vërtetësinë e mesazheve.
Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve:
* Mos klikoni në lidhje të dyshimta të dërguara përmes SMS-ve, pavarësisht institucionit në emër të të cilit paraqiten.
* Mos vendosni të dhënat e kartave bankare, kodet CVV/CVC apo kodet e verifikimit në faqe të hapura përmes këtyre mesazheve.
* Verifikoni çdo njoftim për pagesa, gjoba apo dërgesa postare vetëm nëpërmjet kanaleve zyrtare të institucioneve përkatëse.
* Mos u besoni mesazheve që kërkojnë pagesa urgjente apo paralajmërojnë penalitete të menjëhershme.
* Nëse keni vendosur të dhënat bankare në një faqe të dyshimtë, kontaktoni menjëherë bankën për bllokimin e kartës dhe verifikimin e transaksioneve.
* Raportoni çdo rast të dyshimtë pranë strukturave të Policisë së Shtetit.
Drejtoria për Hetimin e Krimit Kibernetik po vijon monitorimin dhe verifikimin e këtyre fushatave mashtruese, si dhe bashkëpunimin me institucionet përgjegjëse për marrjen e masave për kufizimin e aksesit në faqet e internetit që përdoren për këto veprimtari.
Policia e Shtetit apelon për kujdes të shtuar dhe u kërkon qytetarëve të mos japin në asnjë rast të dhënat e tyre bankare përmes lidhjeve të dyshimta të dërguara me SMS.
Mos klikoni! Mos ndani të dhënat bankare! Verifikoni përpara se të paguani!