Nderim për një karrierë të ndërtuar me dinjitet dhe përkushtim!
Në ambientet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë u zhvillua një ceremoni, gjatë së cilës iu dorëzua Certifikata e Karrierës, e akorduar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Inspektor Gjovalin Shkurtit, i cili mbylli karrierën e tij pas 43 vitesh shërbim në strukturat e Policisë së Shtetit.
Certifikata iu dorëzua nga Shefi i Sektorit të Kufirit, Kryekomisar Gjergji Llanaj, në shenjë vlerësimi për kontributin dhe përkushtimin e treguar ndër vite, nga Inspektor Gjovalin Shkurti, i cili përmbylli një karrierë të gjatë, të ndërtuar mbi përkushtimin, profesionalizmin dhe integritetin.
Gjatë karrierës së tij, Inspektor Shkurti ka shërbyer në disa struktura të Policisë së Shtetit, ku spikat veçanërisht kontributi i tij prej 20 vitesh në trupën e shërbimit në Stacionin e Policisë Kufitare Triport.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryekomisar Llanaj vlerësoi figurën profesionale dhe njerëzore të Inspektor Shkurtit, duke evidentuar korrektësinë, integritetin dhe kontributin e tij në forcimin e standardeve të punës dhe në shërbim të qytetarëve.
Inspektor Shkurti falënderoi drejtuesit dhe kolegët, për mirëkuptimin dhe vlerësimin e treguar gjatë viteve të karrierës së tij.

