Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Vijojnë kontrollet në territor, puna hetimore dhe operacionale, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Janë kapur 4 shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste të tjera, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 8 raste, me 7 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 në kërkim.

Tiranë/ U arrestua në flagrancë shtetasi G. K., 56 vjeç, u procedua penalisht shtetasi E. L., 41 vjeç, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit A. K. dhe D. M., pasi në Kombinat, dyshohet se për motive të dobëta, shtetasit G. K., A. K. dhe D. M., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë dhunuar fizikisht, kanë goditur me sende të forta dhe kanë kanosur me mjet prerës (thikë), shtetasin E. L., ndërsa ky i fundit dyshohet se i ka goditur ata me grushte. Shtetasi E. L. po merr mjekim në Spitalin e Traumës.

Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 8 raste, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 4 në kërkim, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Tiranë/ U identifikuan dhe u proceduan në gjendje të lirë 3 shtetas të mitur, të cilët dyshohet se kanë marrë pjesë në protestën e zhvilluar dje, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, dhe kanë qëlluar me gurë në drejtim të godinës së Gjykatës Kushtetuese.

Gjithashtu, u procedua penalisht shtetasi N. R., 72 vjeç, pasi më datë 28.10.2026, ka bërë thirrje publike në profilet e tij në rrjetet sociale “Instagram” dhe “TikTok”, për veprime të dhunshme, organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme.

Kurbin/ U proceduan në gjendje të lirë 4 shtetas të mitur, pasi dyshohet se kanë hedhur fishekzjarrë dhe bomba molotov në ambientet e Pallatit të Kulturës, Kurbin, ku si pasojë janë shkaktuar dëme materiale.

Janë evidentuar 7 raste të dhunës në familje, me 2 shtetas të arrestuar, 4 të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim. Gjithashtu, janë plotësuar 10 kërkesë-padi për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes.

Janë arrestuar 2 shtetas dhe janë proceduar penalisht 3 shtetas, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur dhe/ose pa leje drejtimi.

Janë proceduar penalisht 3 shtetas për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Shkodër/ U arrestua në flagrancë shtetasja B. P., 27 vjeçe, banuese në fshatin Bërdicë e Mesme, pasi dje, te ura e Bahçallëkut, duke drejtuar automjetin, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe ka aksidentuar me pasojë vdekjen shtetasen E. B., 67 vjeçe, këmbësore.

Librazhd/ U procedua në gjendje të lirë shtetasi R. K., 22 vjeç, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, pasi dje, në rrugën “Stranik-Stravaj”, në fshatin Farret, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe, si pasojë, automjeti ka dalë nga rruga. Nga aksidenti është dëmtuar 22-vjeçari, i cili është jashtë rrezikut për jetën.

Është proceduar në gjendje të lirë 1 shtetas, i cili nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë dhe posedonte armë të ftohtë.

Janë proceduar në gjendje të lirë 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Shërbimet e Policisë Kufitare kapën 1 shtetas, i cili ishte shpallur në kërkim për veprën penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës”.

Peqin/ Dje është dërguar pa shenja jete, nga familjarët, në spitalin e Peqinit, shtetasi E. H., 30 vjeç, i cili dyshohet se ka humbur jetën për shkak të konsumimit të pijeve alkoolike.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke garantuar reagim profesional dhe të shpejtë, si dhe ruajtjen e anonimatit.