PKK Morinë/Kontrolle të shtuara ndaj shtetasve dhe mjeteve me të cilat ata lëvizin, në kuadër të planit të masave të Policisë, për garantimin e rendit, sigurisë dhe qetësise publike, para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit Shqipëri – Çeki.
Tentuan të futnin në vendin tonë, lëndë piroteknike dhe mjete prerëse, me qëllim përdorimin gjatë ndeshjes Shqipëri – Çeki, shoqërohen në ambientet e Policisë, 12 shtetas që lëviznin në mënyrë të organizuar me 2 automjete.
Sekuestrohen 43 kapsolla, 12 tymuese, 9 flakadanë dhe 2 mjete prerëse (thika).
Në kuadër të intensifikimit të punës në hyrje të vendit, me qëllim parandalimin e futjes së sendeve të kundërligjshme që mund të përdoren gjatë ndeshjes së futbollit Shqipëri – Çeki, e cila do të zhvillohet mbrëmjen e sotme, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Morinë dhe ato të Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, kanë kaluar në vijë të dytë, për kontrolle të imtësishme, automjetin tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin E. A., 22 vjeç, banues në Preshevë, dhe automjetin tip “BMW”, me drejtues shtetasin F. Ç., 30 vjeç, banues në Kosovë.
Gjatë kontrolleve në këto automjete, ku ishin dhe 10 pasagjerë në total, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 43 kapsolla, 12 tymuese, 9 flakadanë dhe 2 mjete prerëse (thika), të cilat dyshohet se do të përdoreshin në stadium, gjatë ndeshjes së futbollit që do të zhvillohet mbrëmjen e sotme.
12 shtetasit u shoqëruan në Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës, me qëllim kryerjen e hetimeve dhe veprimeve procedurale të mëtejshme për posedimin e kundërligjshëm të këtyre sendeve.
Kontrollet e imtësishme vijojnë.