Sekuestrohen 16.950 euro.
Shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë, në vijim të kontrolleve për goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut dhe kontrolleve me përzgjedhje, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin tip “Benz” , me drejtues shtetasin A. S., 42 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 16.950 euro, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar.
Në përfundim të veprimeve të para të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Kukës, u procedua penalisht drejtuesi i mjetit, shtetasi A. S., 42 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut, për veprën penale “Mosdeklarimi i të hollave dhe i sendeve me vlerë në kufi”.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.