Mirditë/Kontrolle intensive të territorit dhe hetime proaktive, në kuadër të planit operacional kombëtar të koduar “Territor i Pastër”.
Pas një muaji hetimi proaktiv, finalizohet operacioni policor i koduar “Klosi”.
Asgjësohen 1050 bimë dhe fidanë kanabis sativa.
Vihet në pranga autori i dyshuar, i cili u kap në flagrancë duke u kujdesur për bimët narkotike.
Procedohen penalisht kryeplaku i fshatit Klos dhe specialisti i pyjeve për zonën Fan, për shpërdorim detyre.
Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar “Territor i Pastër”, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për kultivimin e bimëve narkotike, Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirdita kanë intensifikuar kontrollet në terren, të bazuar edhe në inteligjencën policore, dhe kanë vijuar me hetimet proaktive.
Në këtë kuadër, si rezultat i një hetimi proaktiv në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirdita në bashkëpunim me Seksionin Operacional në DVP Lezhë finalizuan me sukses operacionin e koduar “Klosi”. Si rezultat i këtij operacioni u godit një rast i kultivimit të bimëve narkotike dhe u arrestua në flagrancë shtetasi:
A. F., 28 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Klos, Njësia Administrative Fan, Bashkia Mirdita, i dyshuar për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Ky shtetas dyshohet se në hapësirën e pyllit mbi banesën e tij, kishte kultivuar në 3 parcela të ndryshme, 1050 bimë dhe fidanë kanabis. Gjatë operacionit, ky shtetas u kap në njërën nga parcelat duke u kujdesur për bimët narkotike.
Në vijim të operacionit, u proceduan penalisht për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” shtetasit:
Sh. M., me detyrë specialist pyjesh në zonën Fan dhe K. M., me detyrë kryeplak i fshatit Klos. Këta shtetas dyshohen se nuk kanë kryer detyrat e tyre funksionale, në zonën që mbulonin.
Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.