Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu zhvilloi një takim me Kreun e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt. Ata firmosën Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë – Prezenca në Shqipëri “Për zbatimin e analizës së sistemit për bashkërendimin, koordinimin, bashkëpunimin dhe komunikimin midis policisë gjyqësore dhe prokurorisë në procedimet penale”.
Drejtori Veliu theksoi se ky memorandum do të shërbejë për harmonizimin e veprimeve të Policisë me Prokurorinë për të patur më shumë sukses, duke mirë-rregulluar veprimet dhe punën e Oficerëve të Policisë Gjyqësore me Prokurorinë.
“Ne jemi të gatshëm të marrim çdo përgjegjësi dhe angazhim në implementimin e këtij dokumenti. Drejtorët e Policisë do të jenë aktiv edhe me Prokuroritë Vendore për të identifikuar çdo hapësirë dhe si mund të përmirësohen ato”, nënvizoi Veliu.