Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Vjosa”.
Sekuestrohen armë zjarri, drogë e municion luftarak.
Arrestohet në flagrancë poseduesi.
Në vijim të kontrollit të territorit për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative nga qytetarët, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë dhe shërbimet e Stacionit të Policisë Memaliaj, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit të Hetimit të Trafiqeve dhe Narkotikëve në DVP Gjirokastër organizuan dhe finalizuan operacionin “Vjosa”.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi D. K., 40 vjeç, banues në fshatin Buz, Memaliaj, pasi shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi gjetën një armë zjarri tip pushkë, dy armë gjahu pa leje dhe një sasi municioni luftarak. Gjithashtu, në automjetin e këtij shtetasi u gjet një sasi lënde narkotike cannabis sativa rreth 1.5 kg, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për hetime të mëtejshme, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.