Paraditen e sotme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, i caktuar në detyrë, Drejtues i Lartë Tonin Vocaj priti në ambientet e PSH, së bashku me Drejtorin e Departamentit të Policisë Kriminale dhe Shefin e Njësisë së Informacionit të Pasagjerit të Shqipërisë, delegacionin e Njësisë së Informacionit të Pasagjerit të Greqisë (HPIU). Kjo vizitë u realizua në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Policisë shqiptare dhe homologëve grekë, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e dimensioneve të reja kibernetike që po ndërmarrin sot fenomenet kriminale, në mbarë botën.
Gjatë fjalës së tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, i caktuar në detyrë, Drejtues i Lartë Tonin Vocaj theksoi gatishmërinë e plotë të Policisë së Shtetit, për bashkëpunim të mëtejshëm me homologët grekë dhe jo vetëm, në drejtim të ruajtjes dhe përdorimit efektiv të të dhënave kriminale të pasagjerëve. Z. Vocaj u shpreh se shtrirja e krimit kibernetik në disa shtete e bën luftën ndaj tij, përgjegjësi të përbashkët dhe bashkëpunimin tejet të nevojshëm.
Homologët grekë vlerësuan gjithashtu partneritetin dhe profesionalitetin, tashmë të konsoliduar, të Njësisë së re të Informacionit të Pasagjerit të Shqipërisë, si dhe theksuan se shkëmbimi intensiv i informacionit, në kohë reale, me Policinë shqiptare ka qënë elementi kyç që ka shërbyer në luftën e një sërë fenomenesh kriminale ndërkufitare.