Mallakastër/ Ndezi zjarrin në fshatin Mollaj, i cili u përhap për shkak të erës së fortë dhe shkaktoi dëme në tokat e mbjella me ullinj, arrestohet në flagrancë 33-vjeçari.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mallakastër arrestuan në flagrancë shtetasin D. K., 33 vjeç, banues në Ballsh, Mallakastër, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Ky shtetas u arrestua pasi, nga hetimet e kryera për zjarrin e rënë ditën e djeshme, në fshatin Mollaj, dyshohet se ka ndezur zjarr për djegien e mbeturinave në tokën e tij dhe, për shkak të erës së fortë, flakët janë përhapur në sipërfaqe të tjera toke përreth, duke shkaktuar dëme në ullinj, si dhe është djegur çatia e një banese.
Për shuarjen e zjarrit u angazhuan shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër dhe ato të shërbimit zjarrfikës, të cilat bënë të mundur shuarjen e vatrave të zjarrit, pa pasoja për jetën e njerëzve.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për të gjithë qytetarët që të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre, pasi pasojat mund të jenë të rënda për jetën e njerëzve, pronën dhe mjedisin.
Në mënyrë të veçantë, Policia apelon për banorët që djegin mbetje bujqësore apo kryejnë pastrimin e tokave dhe territoreve nëpërmjet djegies, që të shmangin këto praktika, pasi mund të shkaktojnë përhapje të pakontrolluar të zjarreve.
