Policia e Shtetit ka marrë informacion në rrugë operative se një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar mbrëmjen e djeshme ndodhej në një ambient, në Madrid të Spanjës.
Pas verifikimeve të shpejta rezultoi se të dhënat, i përkisnin personit të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Falë shkëmbimit shumë të shpejtë të informacionit ndërmjet Interpol Tiranës, Interpol Madridit dhe Zyrës Ndërlidhëse të Policisë Spanjolle, u bë e mundur arrestimi në Madrid, i shtetasit Luan Bundo, 62 vjeç, nga Tirana.
Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur
Shtetasi Luan Bundo, i ka ofruar dhe dhënë ndihmë për kalimin e kufirit në mënyrë të paligjshme një shtetasi, për të shkuar në Australi. Këtë ndihmë ai e ka ofruar dhe dhënë kundrejt shpërblimit të kërkuar prej 13.000 eurosh.
Shtetasi Bundo së bashku me shtetasin M.P, fillimisht kanë shkuar në Maqedoni ku janë pajisur me viza për në Indonezi dhe më pas nga Indonezia për në Australi, janë transportuar nga një shtetas indonezian me peshkarexhë.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor me vendim, datë 19.12.2016 ka shpallur fajtor shtetasin Bundon për veprën penale “Ndihmë për kalimin e paligjshëm të kufirit” dhe e ka dënuar me 10 vite burgim.
Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Madridin po vijojnë proceduarat për ekstradimin e shtetasit të arrestuar drejt Shqipërisë.