Lushnjë – Kontrolle të shtuara nga Policia në akset rrugore, me qëllim goditjen e veprimtarive kriminale

Kontrolle të shtuara nga Policia në akset rrugore me qëllim goditjen e veprimtarive kriminale.

Sekuestrohen 54.700 euro dhe 1 automjet, të dyshuara të përfituara nga aktivitet i kundërligjshëm.

Procedohet penalisht poseduesi i tyre për veprën penale “Pastrimi i produktit të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Në kuadër të masave të marra për mbajtjen nën kontroll të situatës së rendit në qarkun e Fierit, janë shtuar kontrollet në akset rrugore si edhe në vendet që frekuentohen nga persona me precedent kriminal.

Si rezultat i kontrolleve, nga shërbimet e patrullës së Komisariatit të Policisë Lushnjë, në vendin e quajtur “Rotondo e Plygut”, u ndalua mjeti tip “Audi” me drejtues shtetasin Z. Gj.

Gjatë kontrollit, në automjetin e këtij shtetasi u gjetën 54.700 euro të cilat dyshohen se janë përfituar nga aktivitet i kundërligjshëm.

Në vijim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Fier, proceduan penalisht shtetasin:

Z. Gj., 28 vjeç, banues në Laç.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua shuma e eurove dhe automjeti me të cilën udhëtonte ky shtetas.

Vijon puna për dokumentimin ligjor në lidhje me burimin e të ardhurave të këtij shtetasi.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë për veprën penale “Pastrimi i produktit të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”