Lezhë/ Vijojnë kontrollet ndaj automjeteve luksoze, në fokus verifikimi i dokumentacionit, origjinës së tyre dhe burimit të pasurisë.
Bllokohen 2 automjete, 1 prej tyre i blinduar, tip “Mercedes-Benz”.
Seksioni i Mbështetjes Operacionale për Hetimin, Forcat Operacionale dhe Forcat e Posaçme “Shqiponja” në DVP Lezhë, në bashkëpunim me Policinë Rrugore, gjatë kontrolleve kanë evidentuar dhe ndaluar dy automjete që lëviznin në aksin rrugor Milot-Lezhë.
Nga verifikimi i dokumentacionit rezultoi se automjeti i blinduar, tip “Mercedes-Benz”, drejtohej nga një shtetas 27 vjeç, ndërsa automjeti tip “Audi A6” drejtohej nga një shtetas 20 vjeç, të dy banues në Shkodër.
Nga kontrolli fizik i automjeteve nuk janë konstatuar sende të kundërligjshme.
Nga strukturat e Policisë Rrugore u krye bllokimi administrativ i të dy automjeteve, tip “Mercedes-Benz” dhe “Audi A6”, për mungesë dokumentacioni.
Policia e Lezhës do të vijojë kontrollet dhe verifikimet ndaj automjeteve luksoze dhe të blinduara, me qëllim evidentimin e shkeljeve ligjore, si dhe verifikimin e origjinës dhe burimit të pasurisë.
