Goditet një tjetër rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza, vihet në pranga poseduesi.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative se një shtetas që qarkullonte me automjet, shpërndante lëndë narkotike në doza, në Shëngjin, Lezhë, forca e posaçme “Shqiponja” ka bërë të mundur lokalizimin dhe ndalimin e mjetit të dyshuar.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Audi”, me drejtues shtetasin K. G., 20 vjeç, shërbimet e Policisë gjetën doza me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, gati për shitje, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin.
Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në DVP Lezhë bënë arrestimin në flagrancë të drejtuesit të mjetit, shtetasit K. G., 20 vjeç, banues në Lezhë.
—-
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë bënë ndalimin e shtetasit S. P., 37 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Dhuna në familje”.