Lezhë – 40 vjet në shërbim të shtetit dhe të qytetarëve, del në pension inspektori Ndue Gjoni

Lezhë
40 VJET NË SHËRBIM TË SHTETIT DHE TË QYTETARËVE.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Gledis Nano, duke njohur dhe vlerësuar të gjitha etapat e punës dhe të zhvillimit të Policisë ndër vite, i akordon për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë katër dekadave, Certifikatën për Shërbime të Dalluara dhe stemën e Policisë, inspektorit Ndue Gjoni, me rastin e daljes në pension.
Organizimi i ceremonisë ishte një surprizë për Ndue Gjonin. Ajo u zhvillua në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, ku Drejtori i Përgjithshëm Gledis Nano i ka dorëzuar Certifikatën për Shërbime të Dalluara dhe stemën e Policisë, inspektorit Ndue Gjoni, në shenjë mirënjohjeje dhe vlerësimi për kontributin e tij gjatë katër dekadave në Policinë e Shtetit, në shërbim të qytetarëve.
Në fjalën e tij, mes të tjerash, Nano u shpreh: “Unë të përgëzoj dhe të shpreh mirënjohjen, në emër të Policisë së Shtetit, ty dhe nëpërmjet teje, të gjithë punonjësve të Policisë që janë të përkushtuar dhe krijojnë modele frymëzimi e shembulli për t’u ndjekur nga brezat e rinj në Polici. Të vlerësosh ata që kontribuojnë, sakrifikojnë e nderojnë organizatën e Policisë, duke i shërbyer me dinjitet qytetarëve, është më minimalja që duhet të bëjmë”.
Ndërsa Ndue Gjoni u shpreh: “Falënderoj Drejtorin e Përgjithshëm Gledis Nano, për vlerësimin. Për mua nuk ka qenë e lehtë, pasi puna në Policinë e Shtetit kërkon përkushtim, devotshmëri, sinqeritet dhe durim, por me ndihmën e kolegëve dhe të drejtuesve, kemi arritur t’i realizojmë të gjitha detyrat”.
E pranishme në ceremoni edhe bashkëshortja e inspektorit Ndue Gjoni, e cila shprehu mirënjohje për vlerësimin që iu bë bashkëshortit të saj, për përkushtimin dhe sakrificat e tij gjatë katër dekadave në Policinë e Shtetit.
Ndër të tjera, kjo ceremoni ishte një gjest vlerësimi dhe një mesazh inkurajimi për të gjithë punonjësit e Policisë, anembanë vendit, atyre të karrierës, por edhe brezit të ri, për të punuar me përkushtim e ndershmëri që detyrën ta kthejnë në mision, në interes të vendit, qytetarëve dhe të emblemës që ata përfaqësojnë.