DVP Korçë – Vijon operacioni policor i koduar “Basti i fundit”, për goditjen e informalitetit dhe organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit

Goditen dy raste të tjera, në Korçë dhe Pogradec.
Arrestohet në flagrancë 1 shtetas, procedohet penalisht 1 dhe 1 tjetër shpallet në kërkim.
Sekuestrohen 2 aparate celulare, që shërbenin për vendosjen e basteve sportive.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatet e Policisë Korçë dhe Pogradec, në vijim të operacionit policor “Basti i fundit”, për goditjen e aktivitetit të paligjshëm në fushën e informalitetit dhe organizimit të kundërligjshëm të lojrave të fatit, kanë vijuar të ushtrojnë kontrolle në ambiente të ndryshme në Korçë dhe Pogradec, si rezultat i të cilëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit B. M., 67 vjeç, banues në Korçë, u shpall në kërkim shtetasi D. Q., 52 vjeç dhe u procedua penalisht një 15-vjeçar, të dy banues në Pogradec.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e policisë në lagjen nr. 8, Korçë, në lokalin në përdorim të shtetasit B. M., iu gjet e sekuestrua në cilësinë e provës materiale një aparat celular i cili dyshohet se shërbente për vendosjen e basteve sportive.
Gjithashtu në lagjen nr. 3, Pogradec, në lokalin e shtetasit D. Q., nga verifikimet e kryera rezultoi se një 15-vjeçar, i punësuar në këtë lokal në mënyrë të paligjshme, dyshohet se vendoste baste sportive për llogari të pronarit të lokalit, nga një aparat celular i cili iu gjet e sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorive së Rretheve Gjyqësore Korçë e Pogradec, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara” dhe “Punësimi i paligjshëm”.