Kurbin – Finalizohet operacioni policor i koduar “Udine”

Kurbin

Finalizohet operacioni policor i koduar “Udine”, për kapjen e një shtetasi të kërkuar ndërkombëtarisht.

Operacioni, nga Policia e Kurbinit në bashkëpunim me Interpol Tiranën.

I dënuar nga gjykata italiane, me mbi 9 vjet burgim për një sërë veprash penale (armëmbajtje, kanosje ndaj punonjësit të Policisë dhe vjedhje), kapet në Laç dhe arrestohet me qëllim ekstradimin, 30-vjeçari.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, si rezultat i koordinimit me Interpol Tiranën, si dhe me mbështetjen e inteligjencës informative, për vendndodhjen e një shtetasi të kërkuar ndërkombëtarisht, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Udine”.

Si rezultat i këtij operacioni, u kap në Laç dhe u arrestua provizorisht, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, shtetasi Ermal Zeneli alias Xhemal Karaj, 30 vjeç, banues në Kurbin.

Gjykata e Udines, Itali, e ka dënuar 30-vjeçarin, me 9 vjet e 7 muaj burgim, për veprat penale: “Armëmbajtja pa leje”, “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim”, “Mbajtja dhe shitja e sendeve të vjedhura” dhe “Kërcënimi ndaj oficerit të Policisë”, të parashikuara nga Kodi Penal italian. 30-vjeçari ka vuajtur vetëm 4 muaj nga dënimi i marrë.

Vijojnë procedurat në bashkëpunim me Interpol Tiranën, me qëllim ekstradimin e këtij shtetasi, drejt Italisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.