Kurbin/Evidentohen dhe goditen 2 raste të gërryerjes me mjete të rënda, të shtratit të lumit Mat

Kurbin / Vijojnë kontrollet nga shërbimet e Policisë për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimeve mjedisore.

Evidentohen dhe goditen dy raste të gërryerjes me mjete të rënda, të shtratit të lumit Mat, me qëllim marrjen e kundërligjshme të inerteve.

Sekuestrohen 3 eskavatorë që përdoreshin për këtë veprimtari kriminale.

Arrestohet një administrator dhe procedohet penalisht drejtuesi i mjetit të rëndë që u kap në flagrancë në momentin e ndërhyrjes së Policisë.

Vijon puna edhe për kapjen e dy shtetasve të tjerë (pronarë) të një subjekti, për marrje dhe përpunim inertesh të nxjerrja nga shtrati i lumit, në mënyrë të kundërligjshme.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin dhe Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike-Financiare në DVP Lezhë në bashkëpunim edhe me shërbimet e DRIKMT Lezhë, në vijim të kontrolleve me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, si dhe bazuar në informacione policore të administruara nga inteligjenca informative për kryerjen e kësaj veprimtarie kriminale në lumin e shtratit Mat, në Milot, kanë ushtruar kontroll duke konstatuar dhe goditur dy raste të tjera të gërryerjes së kundërligjshme të shtratit të lumit Mat.

Konkretisht, në shtratin e lumit Mat, në Milot, u konstatua një eskavator duke punuar me qëllim nxjerrjen e inerteve si dhe një eskavator tjetër në afërsi të tij, i fikur. Nga veprimet hetimore rezultoi se këto dy mjete ishin në pronësi të një subjekti me administrator shtetasin P. M. 57 vjeç, banues në Lezhë i cili u arrestua në flagrancë, pasi nuk dispononte leje dhe dokumentacion përkatës për ushtrimin e kësaj veprimtarie. Lidhur me këtë rast, u procedua penalisht në gjëndje të lirë edhe shtetasi A. P. 50 vjeç, banues në Lezhë, i cili në momentin e konstatimit të rastit ishte drejtues i eskavatorit që u kap duke punuar.

Gjithashtu, në vijim të kontrolleve në shtratin e lumit Mat, është gjetur edhe një eskavator tjetër i cili dyshohej që do përdorej për nxjerrjen e kundërligjshne të inerteve. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky mjet i përkiste subjektit në pronësi të shtetasve A. K. 32 vjeç dhe E. L. 34 vjeç, banuesë në Lezhë. Këta shtetas, nga kontrollet e ushtruara nga shërbimet policore pas konstatimit të rastit, nuk janë gjetur as në subjekt si dhe as në banesat e tyre, dhe vijon puna intensive për kapjen e tyre.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, në bashkëpunim me shërbimet e DRIKMT Lezhë, u bë sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i 3 eskavatorëve, të cilët kaluan në rezervat e shtetit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Policia e Shtetit apelon për të gjitha subjektet, që veprimtarinë e marrjes së inerteve në shtretërit e lumenjve, ta kryejnë sipas kushteve dhe kufijve të përcaktuar në dispozitat ligjore dhe në lejet përkatëse, si dhe në çdo rast të konstatimit të shkeljes së këtyre kushteve, do t’u sekuestrohen mjetet dhe do të ndalohet vijimi i kësaj veprimtarie.