Operacioni, i zhvilluar nga strukturat e DVP Kukës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Prokurorinë e Rrethit Kukës.
Transportonte 28 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis, me automjetin e tij, arrestohet në flagrancë 43-vjeçari.
Shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij.
Sekuestrohen 28 kg lëndë e dyshuar narkotike, 1 automjet dhe një sasi parash.
Strukturat e DVP Kukës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë policore, se një shtetas do të shiste një sasi lënde narkotike në qytetin e Kukësit, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Thirra”.
Si rezultat i operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M. V.(P)., 43 vjeç, banues në Durrës.
Gjatë operacionit, në afërsi të tunelit të Thirrës, shërbimet e Policisë ndaluan automjetin tip “Ford”, me drejtues shtetasin M. V.(P). Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë automjet u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 28 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis.
Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi tjetër lënde e dyshuar narkotike kanabis.
Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim shtetasi E. LL., 32 vjeç, banues në Prosek, Mirditë, i cili shoqëronte shtetasin M. V., me automjetin e tij tip “Nissan”.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar lënda narkotike, automjeti tip “Ford”, 2 aparate celulare dhe një sasi parash, që dyshohet se është përfituar nga veprimtaria kriminale.
Vijojnë hetimet për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.