Kudhës, Himarë
Ndezën zjarr në një sipërfaqe pyjore të marrë me qira, me qëllim rigjenerimin e kullotës, dhe si pasojë u dogjën dhjetëra hektarë në territorin e fshatit Kudhës, falë reagimit të shpejtë nga Policia, identifikohen dhe vihen në pranga 2 autorët e zjarrvënies.
Procedohet penalisht për shpërdorim detyre, një inspektor i pyjeve në bashkinë e Himarës. Gjithashtu u procedua penalisht edhe një shtetas tjetër (bari i zonës), për moskallzim krimi.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, me marrjen e njoftimit se në vendin e quajtur “Bathishtë”, në territorin e fshatit Kudhës, kishte rënë zjarr dhe ishte përhapur në sipërfaqe të mëdha pyjore, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Falë veprimeve të shpejta e profesionale, bazuar dhe në inteligjencën policore, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur identifikimin e 2 autorëve të dyshuar të zjarrvënies (blegtorë nga fshati Kudhës, të cilët kishin marrë me qira një sipërfaqje pyjore për kullotë.)
Shërbimet e Policisë kanë kapur dhe arrestuar në flagrancë shtetasin E. M., 44 vjeç, banues në Kudhës, Himarë, dhe nipin e tij, shtetasin A. L., 29 vjeç, banues në Himarë.
Këta shtetas, me qëllim rigjenerinim e kullotës, i kanë vënë zjarrin sipërfaqjes pyjore që ia kishin marrë me qira Drejtorisë së Pyjeve dhe Kullotave në bashkinë Himarë.
Për shkak të erës, zjarri ka marrë përmasa të mëdha duke djegur dhjetëra hektarë sipërfaqe pyjore.
Gjithashtu, është proceduar penalisht për shpërdorim detyre shtetasi S. N., 52 vjeç, banues në Himarë, me detyrë inspektor pyjeve në bashkinë Himarë.
Njëkohësisht u procedua penalisht për “Moskallzim krimi”, shtetasi J.V, 57 vjeç, banues në fshatin Kudhës, (banor i zonës), për moskallzim krimi pasi duke qenë bari I zonës ka parë që këta shtetas po vinin zjarr në disa vatra dhe nuk ka njoftuar Policinë.
Policia e Shtetit apelon për qytetarët, që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi ky veprim përbën krim dhe ndëshkohet penalisht, si dhe i fton ata që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të tillë, me qëllim ndërhyrjen e menjëhershme për shuarjen e flakëve dhe për procedimin penal të shtetasve përgjegjës.