Ksamil/Shkeli perimetrin e sigurisë, me mjet lundrues, ndëshkohet me gjobë dhe i bllokohet mjeti

Ksamil/Shkeli perimetrin e sigurisë, duke futur mjetin lundrues Jet Ski në zonën e pushuesve, ndëshkohet me gjobë 500 000 lekë të rinj drejtuesi dhe i bllokohet mjeti lundrues.

Shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësia Policore Detare vijojnë me intensitet kontrollet dhe patrullimet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve dhe respektimin e rregullave të lundrimit.

Gjatë patrullimit në plazhin e Ksamilit, shërbimet e Policisë Kufitare konstatuan një mjet lundrues Jet Ski, i cili kishte hyrë brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar pushuesit që ndodheshin në plazh.

Në përfundim të veprimeve administrative, drejtuesi i mjetit lundrues, shtetasi A. P., u ndëshkua me masë administrative 500 000 lekë të rinj, ndërsa mjeti lundrues në pronësi të tij u bllokua në portin e Sarandës.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese dhe subjektet që operojnë me to, që të respektojnë me rigorozitet perimetrat e sigurisë dhe rregullat e lundrimit, duke mos vënë në rrezik jetën dhe sigurinë e pushuesve.

Kontrollet dhe patrullimet do të vijojnë përgjatë gjithë vijës bregdetare, me fokus të veçantë garantimin e sigurisë së pushuesve dhe parandalimin e çdo shkeljeje që rrezikon jetën e tyre.