Krujë – Vijon operacioni policor antikanabis i koduar “Territor i pastër”

Vijon operacioni policor antikanabis i koduar “Territor i pastër”. Goditet që në fazë fillestare, një tjetër rast i tentativës për të kultivuar bimë narkotike.

Komisariatit i Policisë Krujë, Stacioni i Policisë Fushë Krujë, Forca e Posaçme Operacionale e DVP Durrës dhe FNSH Tiranë, kontrolle intensive në kuadër të këtij operacioni, në zona të pyllëzuara të qarkut, për parandalimin dhe goditjen e kësaj veprimtarie kriminale.

Gjenden dhe sekuestrohen 782 kubikë, të mbushur me dhé dhe fara të dyshuara narkotike kanabisi, në proces mbirjeje.

Si rezultat i kontrolleve në zbatim të planit operacional të koduar “Territor i pastër”, të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, me qëllim parandalimin dhe goditjen e tentativave që në fazë fillestare, të kultivimit të bimëve narkotike, është konstatuar dhe goditur një tjetër rast i kësaj veprimtarie kriminale.

Skuadrat policore të ngritura në kuadër të operacionit “Territor i pastër”, konstatuan në një territor të fshatit Mafsheq, Krujë, një serë të improvizuar, brenda së cilës u gjetën 782 kubikë, të mbushur me dhé dhe fara të dyshuara narkotike kanabisi, në proces mbirjeje. Kubikët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Komisariati i Policisë Krujë dhe Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, vijojnë veprimet e thelluara hetimore, për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të kësaj veprimtarie kriminale.

Vijojnë kontrollet në të gjithë territorin e rrethit, kundër kultivimit të bimëve narkotike.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.