Krujë/Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli”.
Evidentohet dhe goditet një rast i shitjes së lëndëve narkotike, në afërsi të një shkolle në Krujë, nga një grup i përbërë nga 3 shtetas. Dy prej tyre u vunë në pranga dhe një tjetër u procedua penalisht.
Sekuestrohen doza lënde narkotike kokainë e kanabis, gati për shitje, sasi municioni luftarak dhe 3 celularë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në vijim të veprimeve intensive operacionale të kryera në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar, antidrogë, të koduar “Tempulli”, pasi kanë siguruar informacion se 3 shtetas shitnin lëndë narkotike kanabis, në afërsi të një shkolle në Krujë, kanë organizuar punën për kapjen dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.
Si rezultat, në një qendër lojrash, në afërsi të një shkolle në Krujë, u kapën dhe arrestuan shtetasit I. M., 20 vjeç, dhe G. Rr., 24 vjeç, të dy banues në Krujë. Gjithashtu u procedua penalisht në gjendje të lirë një 16-vjeçar.
Gjatë kontrolleve fizike të tre shtetasve, si dhe gjatë kontrollit të banesave të dy të arrestuarve, shërbimet e Policisë, gjetën sasi lënde të dyshuara narkotike kokainë e kanabis të ndarë në doza, sasi municioni luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me 3 celularë.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas e siguronin lëndën narkotike në sasi dhe pasi e ndanin në doza, i shitnin ato në afërsi të një shkolle në Krujë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.