Krujë – Tentoi të vidhte me thyerje, në një market, identifikohet dhe shoqërohet pak orë pas krimit, autori i dyshuar

Sekuestrohen sendi i fortë (çekiç) me të cilin 14-vjeçari theu xhamat e subjektit, dhe veshjet që mbante në momentet e krimit.

Menjëherë pas njoftimit për një tentativë për vjedhje me thyerje, në orët e para të mëngjesit të sotëm, në një market në pedonalen e qytetit (rast i pasqyruar dhe në rrjete sociale), specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë kryen veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale, për kapjen e autorit.

Si rezultat i këtyre veprimeve, u identifikua dhe u shoqërua në ambientet e Komisariatit, pak orë pas kryerjes së krimit, autori i dyshuar i rastit, një 14-vjeçar, me të cilin vijojnë të kryhen veprime procedurale, me asistencën e prindërve, mbrojtësit ligjor dhe psikologut.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.