Zbardhet në kohë rekord vjedhja nën kërcënimin e armës së xhiros ditore të një lokali në Krujë.
Vihet në pranga njëri nga autorët e dyshuar, i cili gjatë momentit të arrestimit u kap me dy pistoleta në brez.
Specialistët për hetimin e krimit, në bashkëpunim me Prokurorinë, falë veprimeve të shpejta dhe profesionale bënë të mundur zbardhjen në kohë rekord të ngjarjes së ndodhur mëngjesin e datës 19 janar, në qytetin e Krujës, ku dy persona, nën kërcënimin e armës së zjarrit, i morën xhiron ditore prej 20000 lekësh kamerierit të një lokali, në qytetin e Krujës.
Bazuar në prova të grumbulluara, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Cudhi”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
A. K., 24 vjeç, banues në fshatin Kroj Madh të Njësisë Administrative Cudhi, Krujë.
Si dhe u shpall në kërkim policor bashkautori tjetër i ngjarjes, për të cilin nuk i bëjmë me dije të dhënat për arsye hetimore.
Gjatë operacionit, në momentin që shërbimet e Policisë kanë rrethuar banesën për të ushtruar kontroll, shtetasi A. K. ka dalë nga banesa me dy armë zjarri pistoleta në brez, por është neutralizuar dhe arrestuar nga forcat e policisë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy armët e zjarrit pistoleta me dy krehra me fishekë.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë, për kryerjen e veprave penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.