Memaliaj – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Vasjari”

Sekuestrohen 103 kg lëndë narkotike cannabis sativa dhe një armë zjarri pistoletë.

 Arrestohen në flagrancë 6 shtetas dhe një tjetër shpallet në kërkim.

 Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, si dhe mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë dhe të Stacionit të Policisë Memaliaj, organizuan dhe finalizuan operacionin “Vasjari”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:

R. J., 45 vjeç, banues në Vlorë;

M. Z., 26 vjeç, banues në fshatin Amanikaj, Memaliaj;

L. K., 55 vjeç, banues në Mallakastër;

S. D., 30 vjeç, banues në Vlorë;

M. B., 20 vjeç, banues në fshatin Vasjar, Memaliaj dhe

E. S., 30 vjeç, banues në Memaliaj.

 Gjithashtu u shpall në kërkim dhe një shtetas tjetër.

 Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në vendin e quajtur Mogila, në një banesë të pabanuar po përpunonin dhe paketonin 103 kg lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa, me qëllim transportimin në drejtim të qytetit të Vlorës.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike, një armë zjarri pistoletë TT, 3 automjete, 11 telefona celularë, një peshore mekanike, një sasi parash dhe numra të ndryshëm telefonash.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për hetime të mëtejshme, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” e kryer në bashkëpunim.